DAVUTOLLU: ME SHBA NUK KEMI KRIZË PËR PROGRAMIN IRANIAN
Ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu deklaroi se ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ekziston një krizë rreth programit bërthamor të Iranit.
Postuar më 29.07.2010 14:29:23 UTC
Përditësuar më 29.07.2010 14:29:23 UTC
Ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu deklaroi se ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ekziston një krizë rreth programit bërthamor të Iranit.
Davutollu theksoi se Turqia, ashtu si nuk dëshiron fuqi atomike në rajonin e saj, ashtu edhe është kundër masave detyruese.
Pjesëmarrës në programin e një kanali televiziv privat, Shefi i diplomacisë turke, Davutollu iu përgjigj pyetjeve mbi politikën e jashtme të Turqisë.
Ministri i Jashtëm turk preku temën e procesit pas votës "kundër" të Turqisë për sanksione ndaj Iranit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe vuri në dukje se është e gabuar që këto zhvillime t'i emërtosh si një krizë. "Në çdo hap të hedhur janë bërë konsultime reciproke", tha Davutollu.
Ai cilësoi se marrëveshja e Teheranit nuk e ka humbur kuptimin dhe se negociatat teknike janë ende në vazhdim.
Pasi theksoi se nuk duan fuqi bërthamore në rajon, Davutollu u shpreh se Turqia është edhe kundër masave detyruese.
Kreu i politikës së jashtme turke qëndroi edhe mbi diskutimet lidhur me zhvendosjen e boshtit, ku nënvizoi se Turqia zotëron disa veçori që burojnë nga pozita gjeografike, historia dhe përbërja e saj demografike, veçori këto që po i pasqyrojnë në politikën e jashtme.
Davutollu sqaroi se nuk bëhet fjalë për një zhvendosje të boshtit dhe ripohoi se Turqia nuk ka hequr dorë as nga objektivi i saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Në përfundim, përsa i përket luftës anti-terror, Ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu tha se mekanizmi tresh funksionon në aspektin e shkëmbimit të informacioneve, ndërsa shtoi se ka ende shumë për të bërë në kontekstin operacional, duke tërhequr vëmendjen mbi pritshmëritë e Turqisë në këtë temë.