DIVORCI, NJË FENOMEN NË RRITJE NË SHQIPËRI

Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2013, sipas statistikave të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, rezulton se 937 çifte kanë kërkuar zgjidhjen e martesës së tyre.

Divorci, një fenomen në rritje në Shqipëri
Postuar më 02.05.2013 22:10:23 UTC
Përditësuar më 02.05.2013 22:10:23 UTC

Numri i divorceve në vendin tonë dëshmon se tashmë ky fenomen social po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2013, sipas statistikave të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, rezulton se 937 çifte kanë kërkuar zgjidhjen e martesës së tyre. Ndër to 563 martesa janë ndërprerë me vendim gjykate, ndërsa 374 janë ende në procedurë.

Sipas statistikave të publikuara në websiten e Gjykatës së Tiranës, vitin që lamë pas janë regjistruar 1787 kërkesa për divorc.

Numri më i madh i divorceve vërehet në rrethet e mëdha, ku kryeson Tirana, shkak për të nuk është vetëm për numri më i madh i popullsisë, por edhe për një sërë faktorësh të tjerë. Psikologë pranë gjykatave, pranojnë se arsyet që çojnë një çift drejt divorcit, janë ato ekonomike, por në të njëjtën kohë dhe sociale. Kohët e fundit disa nga shkaqet kryesore të divorceve konsiderohen dhuna në familje, emigracioni dhe tradhëtia bashkëshortore.

Ndërkohë dhe Agjencia botërore e statistikave “Nation Master”, e ka renditur Shqipërinë në vendin e 14 në botë për numrin e divorceve. Bazuar në të dhënat e saj, Shqipëria është e 5-ta në Evropë për numrin e divorceve. Sipas kësaj agjencie, në Shqipëri rezultojnë të divorcuar 0.83 persona në një mijë vetë.

Statistikat e agjencisë tregojnë se listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa bie në sy fakti që Shqipëria renditet në listë pas shteteve evropiane si Rusia, Finlanda dhe Portugalia.

Divorci apo zgjidhja e martesës në mbarë botën konsiderohet përfundimi i një martesë para vdekjes së bashkëshortëve. Por në vende të ndryshme të botës, ligjet për divorcin ndryshojnë. Ky fenomen është i ndaluar në Maltë dhe në Filipine, megjithëse në këto vende pranohet anulimi i martesës. Në shumë vende të zhvilluara, përqindja e divorcit u rrit ndjeshëm gjatë shekullit të njëzetë. Midis shteteve, në të cilat divorci është bërë një fenomen i zakonshëm janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, dhe disa vende të Bashkimit Europian. Ndërkohë Japonia dallohet si një vend me normën më të ulët të divorcit, ndonëse vihet re një rritje në vitet e fundit.

Fenomeni i divorci ka ekzistuar që në lashtësi, dhe mendohet të ketë lindur në Mesopotaminë e lashtë. Divorci ishte i rrallë në kulturën e hershme romake. Por, autoritet romake përqafuan shprehjen “matrimonia debent Esse libera" (martesa duhet të jetë e lirë). Në këtë kontekst burri ose gruaja mund të heqë dorë nga martesa sipas dëshirës. Më tej Perandorët e krishterë Konstandini dhe Theodosius kufizuan arsyet për shkurorëzim, gjë që çoi në përkujdesin e jetës familjare më tepër nga autoriteti kishtar sesa autoriteti civil. Deri në shekullin e nëntë ose dhjetë, shkalla e divorcit ishte zvogëluar në masë të madhe nën ndikimin e kishës së krishterë, e cila e konsideronte martesën si një sakrament të themeluar nga Perëndia dhe Krishti, e të pazgjidhshme nga veprimet e thjeshta njerëzore.