MESAZHE PËR PAQE NGA KONFERENCA E 5-TË E AMBASADORËVE

Konferenca e 5-të e Ambasadorëve të Turqisë, e cila tanimë organizohet në mënyrë tradicionale, u realizua me mbledhjet e mbajtura në Ankara dhe Izmir mes datave 2-6 janar 2013.

Mesazhe për paqe nga Konferenca e 5-të e Ambasadorëve
Postuar më 14.01.2013 09:15:34 UTC
Përditësuar më 14.01.2013 09:15:34 UTC

Konferenca e 5-të e Ambasadorëve të Turqisë, e cila tanimë organizohet në mënyrë tradicionale, u realizua me mbledhjet e mbajtura në Ankara dhe Izmir mes datave 2-6 janar 2013. Konferenca, e realizuar me pjesëmarrjen e ambasadorëve turq me detyrë në të katër anët e botës, filloi me fjalimin e hapjes të Ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutollu të mbajtur në Ankara dhe vazhdoi me takimet e realizuara me Presidentin Abdullah Gyl dhe Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan. Në realizimin e kësaj konference, e cila mblodhi në një vend “burokratët e politikës së jashtme turke”, me fjalimet e tyre kontribuuan edhe Drejtori i Shërbimit të Informimit Kombëtar, Ministri i Bashkimit Evropian, Ministri i Kulturës dhe ministrat të tjerë. Mund të thuhet se aktorët e politikës së jashtme dhe brendshme të Republikës së Turqisë, të cilët mblidhen në fillim të çdo viti, formojnë edhe “Personalitetet Shtetërore të Turqisë”.

Ndërkohë që në këto mbledhje në njërën anë forcohet bashkëpunimi, në anën tjetër i bëhet edhe një vlerësim i vitit të lënë pas dhe punohet për përcaktimin e vizionit të politikës së jashtme për vitin e ri. Një anë tjetër e rëndësishme e këtyre mbledhjeve është edhe pjesëmarrja e ministrave të jashtëm të vendeve të tjera të ftuar në këtë konferencë. Pjesëmarrësit e këtij viti ishin Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt dhe ai i Brazilit Antonio Patriota. Ministrat mysafir, të cilët patën një takim me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutollu në Izmir, deklaruan se kanë filluar një iniciativë të re të quajtur “Bashkëpunim Trepalësh në Ndërtimin e Paqes”. Gjatë konferencës së 5-të të ambasadorëve u bënë deklarata të rëndësishme në lidhje me pozitën aktuale të politikës së jashtme turke, projektet e ardhshme dhe në lidhje me perceptimin e botës. Me rastin e konferencës së këtij viti, tema e së cilës ishte “Diplomacia Humanitare”, u vë në pah procesi i zhvillimit dhe objektivat e politikës së jashtme turke për periudhën 2012-2013. Në të vërtetë kjo temë nuk është gjë tjetër veçse shpjegim i thelbit dhe shkaqeve të agjendës së Sirisë në politikën e jashtme turke.

Konferenca vuri në pah se politika e Turqisë ndaj Sirisë bazohet në motivet njerëzore, në qëndrimin e Turqisë kundër masakrave të civilëve nga ana e Esadit dhe mbështetja që i jepet refugjatëve. Edhe fjalimet e Presidentit Gyl, Kryeministrit Erdoan dhe Ministrit të Jashtëm, Davutollu të bëra gjatë konferencës kryesisht ishin të përqendruara mbi këtë temë. Qasjen e Turqisë ndaj problemit të Sirisë këta tre zyrtarë e bazuan në tragjedinë njerëzore që jetohet në këtë vend për shkak të luftës civile. Vrasja e rreth 60 mijë njerëzve, ikja e mbi 150 mijë sirianëve në Turqi dhe aq më shumë edhe në vende tjera përreth gjatë këtyre dy viteve sa vazhdon konflikti në Siri, mund të tregohet si themeli i “Diplomacisë Humanitare”.

Në anën tjetër u dha edhe një mesazh i fortë se politika e Turqisë ndaj Sirisë do të jetë e njëjtë edhe gjatë vitit 2013. Mendoj se zhvillimi i cili shkaktoi këtë mesazh ishte fjalimi i Esadit i mbajtur në sallën e Operës në Damask më 6 janar 2013. Esadi, i cili pas 7 muajve mbajti një fjalim para opinionit publik, bëri të ditur se nuk do të ketë ndryshime në politikën e tij dhe se do ti vazhdojë përpjekjet në luftën kundër opozitarëve të cilët ai i quan “terroristë”. Në planin e tij të propozuar Esad nuk bëri ndonjë deklaratë në lidhje me statusin e tij dhe të udhëheqjes së vendit. Ndërkohë që një numër i madh i vendeve, me në krye Turqinë, nuk e gjetën pozitive fjalimin e Esadit ato dhanë edhe sinjalin se në vitin 2013 nuk do të ketë ndryshime serioze. Ministri Davutollu këtij fjalimi iu përgjigj nga konferenca në Izmir. Ai deklaroi se Esadi nuk qenka i informuar për realitetet rajonale dhe botërore dhe për këtë arsye nuk do të marrin seriozisht fjalimin e tij. Kjo deklaratë vuri theksin në problemin humanitar që jetohet në Siri dhe njëkohësisht është edhe informata më e freskët në lidhje me politikën e Turqisë ndaj çështjes së Sirisë.

Një temë tjetër që erdhi në rend të ditës gjatë edicionit të 5-të të konferencës së ambasadorëve ishte mbi paqen dhe luftën. Deklarata e Presidentit Abdullah Gyl se “Turqia është një vend që përpiqet që në gjeografinë e saj të përhapë paqen, stabilitetin dhe mirëqenien”, ajo e Kryeministrit Erdoan se “Turqia nuk është për luftë, por për paqe” dhe iniciativa “Bashkëpunimi tresh në ndërtimin e paqes” e filluar nga Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutollu dhe homologët e tij suedez Bild dhe ai brazilian, Patriota në mënyrë të qartë paraqesin rendin e ditës së Turqisë. Ajo që kuptohet nga fjalimet e mbajtura këtu është mendimi se është e nevojshme ruajtja e paqes në tërë botën, me në krye Sirinë, dhe mendimi se sa e dëmshme është lufta.

Theksi i veçantë i liderëve mbi paqen dhe stabilitetin është shumë i mirë, por njëkohësisht përmban edhe shenja të cilat shkaktojnë shqetësim. Është shumë e mirë sepse të paktën vë në pah objektivin dhe opinionin e parisë shtetërore të Turqisë në lidhje me Sirinë dhe rajonin dhe njëkohësisht është tregues se në objektiv të parisë shtetërore është ruajtja e paqes. Këto deklarata janë si një lloj angazhimi për vazhdimin e “idealit tradicional të Turqisë për paqe”.

Bërja fjalë kaq shumë në lidhje me luftë dhe paqe nga paria shtetërore sjell me vete edhe pyetjen e “Mundësisë për luftë”, një pyetje kjo që shqetëson parinë shtetërore, e cila mundohet të marrë masa paraprake. A mund të themi se parregullsitë e jetuara në problemin e Sirisë, pra vendimi për vendosjen e raketave Patriot në Turqi, ulja e avionëve civilë të Rusisë dhe të vendeve tjera nga ana e Turqisë në përputhje me rregullat e aviacionit civil dhe së fundmi debati mes liderëve të Turqisë, Iranit dhe Irakut, janë shenjat për një luftë të mundshme gjatë vitit 2013. Dhe më e rëndësishmja a është fjalimi sfidues i Esadit i mbajtur më 6 janar 2013 një tregues se edhe vetë Esadi është në pritje të një lufte? A i dha Esadi përkrahësve të tij një moral politik dhe shpirtëror ndaj një lufte që iu afrohet atyre?

Përmbajtja e këtyre pyetjeve mund të jetë spekulative dhe shpresoj dhe dëshiroj që këto të jenë shqetësime të pabaza. Urojë që këto pyetje të mos jenë tregues i një procesi ku do të bien kambanat e luftës dhe që do ti gëzojë baronët e luftës. Gjëja më e rëndësishme që më gëzon është besimi i parisë shtetërore të Turqisë në parimin “Paqe në vend, paqe në botë” dhe në të njëjtën kohë treguesi se shumica e vendeve si Suedia e Brazili janë pro paqes në botë. Unë isha i lumtur që ky opinion optimist dominoi edhe gjatë edicionit të 5-të të konferencës së ambasadorëve.