Postuar më 19.08.2012 11:52:44 UTC
Përditësuar më 19.08.2012 14:53:36 UTC
Presidenti Abdullah Gyl në mesazhin e tij thotë: “Dua të theksoj edhe një herë se nuk do të lejojmë kurrë ata që mundohen të pengojnë zhvillimin e përparimin e Turqisë, që synojnë të prishin qetësinë dhe begatinë e popullit”.
Në mesazhin e tij Presidenti Gyl ndalet edhe në Siri dhe thotë: “Dëshira jonë e sinqertë është ndalimi i gjakderdhjes në Siri, vendosja një orë e më parë e qetësisë dhe rendit për vëllezërit tanë sirianë. Turqia edhe këtej e tutje do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e mundshme nga ana e saj me qëllim vendosjen e paqes, qetësisë, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe në botë”.
Kurse Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Xhemil Çiçek, në mesazhin e tij publikuar me rastin e festës së Fitër Bajramit tha se vëllazëria, uniteti dhe solidariteti janë garancia më e madhe e Turqisë përballë shumë çështjeve shoqërore dhe problemeve si terrori.
Edhe Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan në mesazhin e tij vë theksin tek uniteti dhe solidariteti.
Lideri i Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Këllëçdarollu (Kemal Kılıçdaroğlu) urimin për bajramin e bëri përmes rrjetit social në internet.
“I uroj gëzuar Fitër Bajramin të gjithë qytetarëve dhe botës islame. Uroj që ky ramazan i shenjtë të sjellë begati për vendin tonë dhe të gjithë njerëzimin”
Shkruan lideri i opozitës në mesazhin e tij.
Ndërsa në mesazhin e liderit të Partisë tjetër të opozitës, Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, doli në pah mallkimi i terrorit.
“Populli ynë i shenjtë ka jetuar së tepërmi dhimbje dhe humbje deri në ardhjen e festës së Fitër Bajramit, duke kaluar një muaj të mbushur me dhimbje dhe tortura shpirtërore. Dëshira ime është që ky bajram të konsolidojë akoma edhe më shumë vëllazërinë dhe unitetin tonë të kërcënuar dhe të na japë fuqi dhe frymëzim për të sfiduar çështjet e rënda me të cilat përballemi sot”, thotë Bahçeli në mesazhin e tij.