MJEDISI - NGJARJET KRYESORE TË VITIT 2012 NË SHQIPËRI

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë hapash në drejtim të menaxhimit të mbetjeve gjatë vitit 2012.

Mjedisi - Ngjarjet kryesore të vitit 2012 në Shqipëri
Postuar më 21.12.2012 12:39:48 UTC
Përditësuar më 21.12.2012 13:46:46 UTC

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë hapash në drejtim të menaxhimit të mbetjeve gjatë vitit 2012, lidhur kjo dhe me reduktimin e Listës së Gjelbër.

Ndërkohë, i gjithë vendi u përfshi në aksionin kombëtar, me nismë të Kryeministrit Sali Berisha, për pastrimin e vendit nga mbetjet urbane. Masa për mjedis të pastër u morën edhe në prag të sezonit turistik. Ndërkohë, edhe gjatë këtij viti u miratuan një sërë ligjesh për përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë evropian.

Më poshtë vijojnë disa nga ngjarjet kryesore të mjedisit në 2012:

31 Janar – "Turizmi dhe Ligatinat" ishte mesazhi i përcjellë nga ambientalistët në kuadër të Ditës Botërore të Ligatinave. Zv.ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, prezanton masat për mbrojtjen e këtyre zonave me vlera.

6 Mars - Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", qëllimi i të cilit është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe shëndetit të njeriut përmes minimizimit të ndikimeve negative nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre.

27 Mars - Përfaqësues të 12 vendeve të përfshira në projekte mjedisore të financuara nga GEF zhvillojnë diskutime për problemet e ndryshme të mjedisit, bashkëpunimet ndërarjonale për to, si dhe financimet e GEF.

17 Prill - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, propozon shkurtimin e listës së gjelbër në vetëm 30 lloje mbetjesh, nga 56 lloje që janë aktualisht në Listë.

18 Prill - Këshilli i Ministrave miratoi autorizimin e "AMA RECYCLING", sh.p.k. për importin e mbetjeve metalike të aluminit dhe të bakrit, për qëllime riciklimi.

20 Prill - "Shqipëria e pastër" është aksioni kombëtar që u ndërmorr në të gjithë vendin, me qëllim pastrimin e mjedisit nga mbetjet. Aksioni, nismë kjo e kryeministrit Sali Berisha u shtri në të gjitha bashkitë e komunat e vendit, në bashkëpunim me qeveritë vendore.

22 Prill - "Të gjithë duhet të veprojnë për të ndryshuar gjërat në lidhje me çështjet e mjedisit dhe për këtë duhet vullnet dhe energji, gjë që njerëzit e këtij vendi e kanë", tha Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në aktivitetet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës.

4 Maj - Në prag të sezonit turistik, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, kërkoi nga agjencitë rajonale të mjedisit të ushtrojnë inspektime urgjente për pastrimin e territorit.

11 Maj - Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, kërkon në Konferencën për bimët mjekësore nga drejtuesit e njësive vendore të zbatojnë ligjin përsa i përket dhe menaxhimit të bimëve mjekësore.

5 Qershor - Në Ditën Botërore të Mjedisit, u apelua për më shumë vëmendje ndaj problemeve mjedisore, ndërsa vetë qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm veçanërisht ndaj problemit të mbetjeve.

26 Qershor - Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, merr pjesë në Samitin e OKB, “RIO +20, për një zhvillim të qëndrueshëm”, mbajtur në Rio de Janeiro, Brazil.

12 Korrik – MMPAU dhe Universitetit Politeknik nënshkruan një memoradum bashkëpunimi me qëllim terheqjen e mendimit shkencor për trajtimin e çështjeve të ndryshme mjedisore.

17 Korrik – Prezantohet projekti për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Biodiversitetit të Liqeneve të Prespës, Ohrit dhe Shkodrës.

Ekosistemi natyror Mali i Tomorrit, me sipërfaqe të zgjeruar, është shpallur Park Kombëtar, duke rritur kështu rrjetin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura.

22 Gusht - Reduktohet Lista e Materialeve të Riciklueshme të Mbetjeve, prej së cilës do të hiqen ato materiale që nuk janë kërkuar të importohen përgjatë një viti.

10 Shtator - Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i zi, tre vende që ndajnë basenin e lumit Drin, kanë nisur një projekt të përbashkët për marrjen e masave parandaluese ndaj përmbytjeve. Tre ministrat respektivë të Mjedisit diskutojnë në Tiranë mbi këto masa.

21 Shtator - Ministrat e Mjedisit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe të Turqisë, u mblodhën në një konferencë në Tiranë, me temë “Përqasja rajonale me ndryshimet klimatike”, ku shprehën angazhimin në përpjekje të përbashkëta për masa ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike.

2 Tetor - Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruan një deklaratë të përbashkët, që i hap rrugën një ndërmarrje të madhe për krijimin e Rezerves së Biosferës si një ekosistem të madh dhe të larmishëm që përfshin ekosistemin e Ohrit dhe Prespës nga të dy anët e kufirit.

15 Nëntor - Kuvendi miratoi me konsensus me 112 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ligjin "Për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore", ligj që përafron legjislacionin mjedisor me atë evropian.

8 Dhjetor - Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, zhvillon një vizitë zyrtare disa ditore në Doha të Katarit.

12 Dhjetor - Shqipëria dhe SHBA nënshkruan memorandum bashkëpunimi që do të mundësojë bashkëpunimin në planifikimin dhe zbatimin e strategjive së shkarkimeve të ulëta për Shqipërinë (EC-LEDS).