TURGUT OZALL, RONËLLD REGËN, MERGËRIT THEÇËR – MËSIME NGA POLITIKA E VITEVE 1980

SHBA-të dhe Britania e Madhe, dy vendet aktore protagoniste të së Djathtës së Re neoliberale, si dhe Turqia e drejtuar nga Ozalli, i cili ndiqte politika paralele me ato të Uashingtonit e Londrës, në vitet 1980 ishin lokomotiva të vlerave si tregtia e lirë, ekonomia e tregut, privatizimi, liritë dhe të drejtat e njeriut.

Turgut Ozall, Ronëlld Regën, Mergërit Theçër – Mësime nga politika e viteve 1980
htt

Get Adobe Flash player

Postuar më 05.05.2013 07:40:20 UTC
Përditësuar më 05.05.2013 07:52:03 UTC

Ish-kryeministrja britanike, Mergërit Theçër, e njohur ndryshe me epitetin “Zonja e Hekurt”, e cila ndërroi jetë më datë 8 prill 2013, nuk ishte vetëm një nga emrat simbol të Anglisë, por i ndryshmeve të viteve 1980 nëpër botë. Ndërsa emrat e tjerë ishin ish-presidenti turk, Turgut Ozall dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronëlld Regën, të cilën u ndanë nga jeta respektivisht më datë 17 prill 1993 dhe 5 qershor 2004. Ata ishin udhëheqës të revolucioneve dhe reformave neoliberale në vendet e tyre dhe më gjerë në botë, gjë kjo që ishte njëkohësisht veçoria e përbashkët e liderëve në fjalë. SHBA-të dhe Britania e Madhe, dy vendet aktore protagoniste të së Djathtës së Re neoliberale, si dhe Turqia e drejtuar nga Ozalli, i cili ndiqte politika paralele me ato të Uashingtonit e Londrës, në vitet 1980 ishin lokomotiva të vlerave si tregtia e lirë, ekonomia e tregut, privatizimi, liritë dhe të drejtat e njeriut. Vendet e sipërcituara, në kuadër të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të udhëhequra nga parimet e globalizimit, që njihen si Konsensusi i Uashingtonit, realizuan përhapjen e liberalizimit. Paralelisht me këto politika ekonomike u përjetua një ndryshim i njëkohshëm edhe në politikën ndërkombëtare. Lufta e Ftohtë mori fund si rezultat i shpërbërjes së Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik, kështu në botë filloi një periudhë e re. U hodhën pretendime se do të përfundonin ideologjitë dhe historia, madje se do të formohej një rend botëror i ri.

Vitet 1990 rezultuan një periudhë që nxorën nga rendi i ditës liderët e lartpërmendur. Në vend të Regënit, i cili qëndroi në detyrë për dy mandate, president i SHBA-ve u zgjodh Xhorxh Herbërt Uollkër Bush; Theçërin, e cila ishte kryeministre e Anglisë për tri mandate, e zëvendësoi Xhon Meixhër; ndërsa postin e Ozallit, i cili ndërroi jetë teksa kryente detyrën e presidentit të Republikës së Turqisë pasi e kishte drejtuar këtë vend për dy mandate edhe si kryeministër, e mori Sylejman Demireli. Për fat të keq, vitet 1990 u bënë skenë e kushteve aq negative, sa që periudhat e mëparshme mund të quhen më të paqme. “Në vend të rendit të ri filluan trazirat”, “konfliktet ideologjike ua lanë vendin konflikteve ndërmjet qytetërimeve”, kurse “Lufta e Ftohtë u zëvendësua nga luftëra të nxehta në Lindje të Mesme, Ballkan dhe Kaukaz”.

Ndërkohë që gjatë viteve 1990 u vunë re lidershipe të qëndrueshme si Bill Klinton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Toni Bleir në Britaninë e Madhe dhe Gerhard Shroder në Gjermani, Turqia, ndryshe nga këto vende me të cilat deri pak vite më parë ndiqte një linjë paralele, kaloi një dekadë plot lëkundje ekonomiko-politike. Pas vdekjes së Turgut Ozallit, ngjarje kjo që e ruan aktualitetin e saj ende sot, në Turqi u zhvillua një proces plot kriza dhe konflikte. Besoj se për ta vërtetuar këtë 10-vjeçar krizash në Turqi, mjafton të theksoj që në vitet 1990 Ankaraja ka ndryshuar 10 qeveri dhe 11 ministra të punëve të jashtme.

Përfundimi që del nga zhvillimet e viteve 1980 dhe 1990, periudha këto që u mundova t'i përmbledh me pak fjalë, është ky: Rryma politike e quajtur “E Djathta e Re” dhe liderët kryesorë të saj kanë realizuar revolucione dhe reforma të suksesshme në vendet e tyre dhe më gjerë në botë. Ky sukses mund të matet me masa dhe kritere të ndryshme, por më e rëndësishmja ndërmjet tyre është se të tre liderët në fjalë kanë fituar të paktën dy herë radhazi zgjedhjet në vendet përkatëse. Zgjedhja dy herë e Regënit, tri herë e Theçërit dhe tri herë e Ozallit (kryeministër dhe president), tregon fare qartë sa të suksesshëm ishin këta liderë në shoqëritë dhe vendet e tyre. Për mendimin tim, arsyeja kryesore e rikonfirmimit të këtyre liderëve kishte të bënte jo vetëm me reformat ekonomiko-politike të realizuara në këtë periudhë, por edhe me progresin e shënuar në fushat e komunikimit, informatikës, transportit, arsimit dhe shëndetësisë. Pra rritja e standardeve të jetesës dhe kontributi i rëndësishëm, që solli zhvillimi i mjeteve teknologjike në këtë periudhë, në mirëqenien dhe liritë e njeriut. Shkurtimisht, tre liderët e sipërcituar janë rizgjedhur fillimisht për arsye se kanë ngritur në një nivel më të lartë stabilitetin, zhvillimin, demokracinë dhe cilësinë e jetesës në vendet përkatëse.

Një tjetër tregues i suksesit të këtyre liderëve ka të bëjë me ndryshimet rrënjësore, që ata kanë realizuar në sistemin ndërkombëtar. Aleanca perëndimore, e udhëhequr nga ish-presidenti amerikan, Ronëlld Regën, dominoi politikën botërore. Politikat ekonomike neoliberale, revolucionet teknologjike, globalizimi dhe strategjitë e reja ushtarake nga njëra anë shtuan solidaritetin brenda aleancës perëndimore, kurse nga ana tjetër përshpejtuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Bllokut Lindor. Pas krizave të njëpasnjëshme politike në Republikat Socialiste të Bashkimit Sovjetik, në krye të shtetit erdhi Mihail Gorbaçovi, i cili filloi menjëherë të ndjekë politikat e famshme të quajtura Gllasnost (Transparencë) dhe Perestroika (Ristrukturim), që kishin për qëllim të arrinin ritmin e zhvillimit të Perëndimit. Gorbaçovi me të vërtetë u përpoq që të kapte Perëndimin dhe të fuqizonte Bllokun Lindor me anë të këtyre politikave, por rezultatet nuk ishin të suksesshme. Vendet e izoluara të Bashkimit Sovjetik dhe Bllokut Lindor dështuan në realizimin e reformave brenda një kohe të shkurtër dhe filluan të shpërbëhen vrullshëm në një drejtim krejt të kundërt. Lëvizjet për liri, që shpërthyen në fund të viteve 1980 në Poloni, u dhanë fund të gjitha regjimeve komuniste të Bllokut Lindor. Rënia e këtij të fundit me shembjen simbolike të Murit të Berlinit, solli me vete edhe fundin e Bashkimit Sovjetik. Ky rezultat pra ishte sukses i politikës së të Djathtës së Re neoliberale kundrejt politikës së centralizuar komuniste.

Natyrisht që këto suksese nuk janë fare pa probleme dhe debate. Politikat neoliberale shkaktuan në shumë shtete dhe rajone pabarazi ekonomike, korrupsion dhe kriza sociale. Vendet dhe shtresat, të cilat nuk arritën dot të ecnin me hapin e procesit të globalizimit, u përballën me papunësinë, pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave dhe me trauma shoqërore. Ndërmjet cilësisë dhe standardeve të jetesës së vendeve dhe shtresave të shoqërisë u formua një humnerë, që u thellua gjithnjë e më shumë. Rendi ekonomik i ashtuquajtur “Kapitalizmi i Zi”, ashtu si përherë, “pasuroi akoma më shumë të kamurit dhe varfëroi gjithnjë e më tepër të skamurit”.

Problemi tjetër i politikave neoliberale të së Djathtës së Re është se nuk kanë arritur dot t’u shmangen luftërave dhe konflikteve të nxehta: Lufta e Ishujve Malvine (Falkland sipas britanikëve) në kohën e Theçërit, luftërat e Regënit në Libi dhe vendet e Amerikës Qendrore, si dhe mbështetja që perëndimorët u dhanë muxhahidinëve në Afganistan dhe Bagdadit gjatë luftës Iran-Irak, janë vetëm disa nga këta shembuj. Megjithëse zyrtarisht apo de fakto nuk kanë marrë pjesë në asnjë konflikt të nxehtë dhe kanë ndjekur një politikë asnjanëse veçanërisht në luftën Iran-Irak, Turqia dhe qeveritë e Turgut Ozallit nuk ia kanë dalë dot t’u shpëtojnë plotësisht ndikimeve të strategjive të Uashingtonit dhe NATO-s. Si përfundim; vitet 1980, që janë bërë skenë e zhvillimeve nën ndikimin e liderëve si Ronëlld Regën, Mergërit Theçër dhe Turgut Ozall, duhen regjistruar si një periudhë me progres tepër rëndësishëm në politikat ekonomike botërore, por njëkohësisht edhe me konflikte serioze të panënvlerësueshme. Sidoqoftë, ashtu siç edhe shikohet në telenovelën me titullin “Vitet ‘80”, që transmetohet në ekranet e kanalit televiziv TRT 1, po të krahasohet me periudhat e mëparshme dhe mëpasshme, jam i mendimit se vitet 1980, me të mirat dhe të këqijat e tyre, ishin një dekadë e këndshme.