BE-JA DUHET TA PRESË TURQINË ME KRAHË HAPUR
ECA: Projektet e audituara kanë arritur përfundimet e synuara dhe Gjykata ka vendosur që rezultatet mund të vazhdohen. Menaxhimi i asistencës së para-pranimit, i ekuilibruar.
Postuar më 28.07.2010 06:53:27 UTC
Përditësuar më 28.07.2010 06:57:21 UTC
Fillimisht do të analizojmë detajet e raportit të hartuar nga Demos, një prej institucioneve të pavarura britanike të mendimit, lidhur me marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian. Ndërsa më pas do të marrim në shqyrtim deklaratat e Komisionarit i BE-së për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle, përsa i përket asistencës financiare që Unioni i ka siguruar Turqisë.
Demos, një prej institucioneve të pavarura britanike të mendimit, i ktheu një përgjigje të merituar deklaratës “anëtarësimi i plotë i Turqisë në Bashkimin Evropian do të jetë një ‘katastrofë’ totale”, bërë nga deputeti i Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar, Filip Halloboun (Philip Hollobone). Maks Uind Koui (Max Wind Cowie), njëri prej ekspertëve të politikës pranë Demos, shkroi se konservatorët nuk duhet të frikësohen prej anëtarësimit të Turqisë, por krejt në të kundërt, duhet ta presin atë me krahë hapur.
Në raportin e tij, pasi shkruan se fjalët e ashpra të deputetit të Partisë Konservatore, Filip Halloboun lidhur me anëtarësimin e Turqisë dhe përdorimin e burkës ngjallin shqetësim tek shumë njerëz, Koui vijon kështu: “Këto fjalë të deputetit Halloboun më shqetësuan jashtë mase. Sepse është një këndvështrim i pavend, që nuk ndihmon idetë e konservatorizmit.”
Duke renditur arsye tepër të rëndësishme për mbështetjen e anëtarësimit të Turqisë në BE, Maks Uind Koui theksoi se Unioni ka shpëtuar nga kërcënimi sovjetik veçanërisht vendet e Ballkanit dhe Evropës Juglindore, i ka njohur ato me demokracinë, si dhe ka sjellë në këto vende tolerancën e transparencën. “Për këtë arsye unë mbështes anëtarësimin e Ankarasë në Bashkimin Evropian”, vuri në dukje Koui dhe shtoi se nga ky anëtarësim do të përfitojë si Turqia, ashtu e vet BE-ja.
Eksperti i politikës pranë institutit Demos, tërhoqi vëmendjes se anëtarësimi i Turqisë jo vetëm që do të jetë një mesazh i qartë për botën myslimane, por do t’i japë një goditje të fuqishme edhe ideologjive të grupeve radikale. Koui gjithashtu u shpreh se Unioni ngurron nga identiteti mysliman i Turqisë, megjithatë ai nënvizoi se kjo gjë është e kotë. Në fund Maks Uind Koui i bëri thirrje qeverisë angleze dhe në veçanti konservatorëve, duke thënë se Turqia duhet pritur me krahë hapur.
Ndërkaq, edhe Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian për Turqinë, Ambasadori Mark Pierini (Marc Pierini), në deklaratat e tij për mediat e shkruara turke, theksoi se BE-ja dhe Turqia po i afrohen njëra-tjetrës çdo ditë e më shumë në tema si strategjia, tregtia, energjia, industria dhe arsimi. Pasi sqaroi se që të gjithë 1520 gjigandët më të mëdhenj të industrisë së BE-së kanë qendra prodhimi në Turqi, Ambasadori Pierini u prononcua me këto fjalë: “Këta nuk prodhojnë vetëm për tregun e Turqisë, por për të gjithë botën. Ashtu siç ndodhte në të shkuarën, Turqia tani nuk preferohet më vetëm për krahun e lirë të punës, por edhe për aftësitë e saj teknike, teknologjike, projektuese dhe prodhuese.”
Komisionari i BE-së Përgjegjës për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle iu përgjigj një mocioni lidhur me raportin e Gjykatës Evropiane të Llogarive (ECA) se ekzistojnë probleme në asistencën financiare për Turqinë. Komisionari Fyle, pasi sqaroi se në fazat e para të asistencës financiare të Bashkimit Evropian në drejtim të Turqisë janë vërejtur “dobësi”, vuri në dukje se debatet rreth mirëmenaxhimit dhe keqmenaxhimit të asistencës financiare janë bërë edhe për ish-vendet kandidate të BE-së, të cilat tashmë janë anëtare të saj.
Në raportin e fundit rreth menaxhimit të asistencës, hartuar nga Gjykata Evropiane e Llogarive, e cila kontrollon përdorimin e fondeve të buxhetit të BE-së dhe luan rolin e Departamentit të Auditimit në mocionin e titulluar “Dobësi në asistencën para-pranimit për Turqinë”, europarlamentari austriak i Partisë për Liri (FPÖ), Andreas Molzer mbrojti mendimin se është nxjerrë një konkluzë negative, ku pretendohet se “vetëm disa prej objektivave të krijuara në Dokumentin e Partneritetit Evropian ndërmjet Unionit dhe Turqisë janë përmbushur me sukses”.
Ndërsa Komisionari i BE-së Përgjegjës për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle, në përgjigjen e tij ndaj mocionit në fjalë, deklaroi se Gjykata Evropiane e Llogarive e ka vlerësuar menaxhimin e asistencës si “të ekuilibruar”, ka prekur problemet në menaxhimin e fondeve dhe krahas këtyre Komisioni Evropian ka hedhur hapa në drejtim të zgjidhjes së problemeve.
Fyle theksoi se Gjykata ka bërë konstatime kritike në dy fusha kryesore lidhur me periudhën 2002-2006. Ai bëri me dije se këto fusha janë “Programimi i asistencës – Mosgjetja e kritereve specifike mbi përcaktimin e përparësive të asistencës së Bashkimit Evropian” dhe “Auditimi: Pamjaftueshmëria në matjen e rezultateve dhe efekteve të asistencës”.
“Në fazat e para të asistencës financiare të Bashkimit Evropian në drejtim të Turqisë kishte një dobësi. Sigurimi i asistencës së BE-së, në mënyrë të pashmangshme për të dyja palët; ashtu siç ka ndodhur edhe në çështjen e menaxhimit të asistencës financiare për ish-vendet kandidate të Bashkimit Evropian, të cilat tashmë janë shtete anëtare të tij, përsa i përket prioriteteve të duhura dhe mekanizmave të akordimit, kërkonte një fazë, një proces mësimi”, tha Stefan Fyle.
Duke nënvizuar se që nga fillimi i aplikimit të Instrumentit për Asistencë Para-Pranimit (IPA) në vitin 2007 dhe vënia në zbatim prej autoriteteve turke e decentralizimit në menaxhimin e asistencës financiare në 2008-ën, është shënuar progres në shumë drejtime, Fyle sqaroi që këto përparime janë vlerësuar si “përvetësim më i madh i projekteve” dhe “përmirësim në hartimin e tyre”.
Komisionari i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle, pasi vuri në dukje se Gjykata Evropiane e Llogarive, në lidhje me projektet që ajo ka marrë në shqyrtim, është shprehur se; “Projektet e audituara kanë arritur përfundimet e synuara dhe Gjykata ka vendosur që rezultatet mund të vazhdohen”, shtoi se në përputhje të plotë me opinionin e Gjykatës Evropiane të Llogarive, janë të mundshme edhe përmirësimet shtesë për asistencën në drejtim të Turqisë. “Komisioni do të vijojë me përmirësimet aktuale dhe do të planifikojë punime shtesë, që do të rrisin efektivitetin e asistencës financiare”, përfundoi Fyle.